Foto: KALLXO.com

Vrasja me thikë në Prizren, mbrojtja propozon që të dëgjohet eksperti që bëri autopsinë

Orhan dhe Albert Ademaj janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit për t’u ballafaquar me akuzën për vrasje të rëndë.

Dy vëllezërit po gjykohen nën akuzën se më 1 maj 2020, në Prizren, nga motivi i hakmarrjes e kanë vrarë Mendim Kurtishajn.

Në seancën e sotme, Gjykata ka marrë vendim që në cilësinë e ekspertit të ftohet mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu, i cili kishte përpiluar raportin e autopsisë.

Një propozim i tillë të martën është bërë nga ana Blerim Mazrekut dhe Hajrip Krasniqit, mbrojtës të të akuzuarve.

Paraprakisht në këtë gjykim është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit zyrtari policor Agron Hoti.

Hoti lidhur me vrasjen ka thënë se në ditën kritike ai kishte marrë në pyetje një dëshmitar, kurse nga provat që janë dorëzuar nga ai dëshmitar është përpiluar zinxhiri i ruajtjes.

Agron Hoti mohoi të kishte dijeni nëse thika me të cilën ishte kryer vepra është gjetur në vendin e ngjarjes apo është dorëzuar si provë.

I njëjti shtoi se vetëm gjatë intervistimit të dëshmitarit ishte përmendur thika.

“Lidhur me rastin gjatë intervistimit një dëshmitar M.H., i njëjti ka deklaruar se vepra penale është kryer me thikë, por unë nuk e kam parë thikën”- tha Hoti.

Pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari i akuzuari Albert Ademaj paraqiti kërkesë për transferim.

“Gjykatëse, nëse nuk më sjellin në Burgun e Prizrenit afër familjarëve të mi do ta bojkotoj seancën, nuk do të vij” – përfundoi i akuzuari Albert Ademaj.

Seancat e radhës u caktuan për më 9 dhe 11 nëntor 2022.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet Mendim Kurtishajt dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.