Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, shtyhet seanca e planifikuar për nesër

Për shkaqe procedurale është shtyrë seanca, e cila ishte planifikuar të mbahet të premten, në rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Musa Damati, mbrojtësi i të akuzuarës Silvana Arsoviq.

Avokati tha se një shtyrje e tillë nuk i jep imazh të mirë Republikës së Kosovës.

“Konsiderojmë se saga e shterjes së seancave të tilla të cilat përbëjnë një nivel të lartë politik duhet të trajtohen me prioritet dhe nuk është në interesin dhe imazhin e mirë të Republikës së Kosovës shtyrja e pafundme e këtij procesi penal”, tha avokati Musa Damati.

Kujtojmë se edhe seanca e shqyrtimit fillestare e datës 4 dhjetor ishte shtyrë për shkak të një dyshimi të ngritur lidhur me një shkelje të mundshme procedurale.

Të akuzuar në këtë rast janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq.

Kurse si udhëheqës të grupit kriminal janë të akuzuar Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Sipas aktakuzës, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16.01.2018, në qytetin e Mitrovicës, të pandehurit në bashkëpunim me të pandehurit Zhelko Bojic, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç të cilët gjenden në arrati, dhe me dy të pandehur tjerë e që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, në atë mënyrë që, të gjithë të pandehurit kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer vrasjen e rëndë.

Sipas aktakuzës, secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviç duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opell Astra”, ngjyre e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Iv

Përveç kësaj i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke lejuar personat e pa autorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhë vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Aktakuza thotë se i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke ka bashkëpunuar ngushtë me te pandehurit Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe” me targa KM-014-FZ, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, ne rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”. Kjo veturë pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Marko Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek  restoranti “GREY” e që është pronë e pandehurit Milan Radoiçiq.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, i pandehuri Rade Basara, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë – Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal,njëkohësisht si hetues i policor, ka bashkëpunuar ngushtë Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marr urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i seleksionojë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiciç, kanë qenë të në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëlim që ato raste motë zbardhen dhe të mbesin të pa zbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura Silvana Arsoviq, si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanovic, e pandehura ka qenë ne dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyqur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim te dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur te kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviç, e njëjta me datën 16.01.2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes së Oliverit ka aktivizuar kamerat e sigurisë ne zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me datën 16.01.2018, i pandehuri Dragisha Markovic, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën e cila që përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që deri sa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës se Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Oliver Ivanoviq.

Me datën 16/01/2018, të pandehurit Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviq, në cilësi të personave zyrtar , kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes se Oliver Ivanoviqit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lëne personat e tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njejtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu qe fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviç, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gezhoj, e fut në xhep dhe se bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviç largohen nga vendi i ngjarjes.

I pandehuri Zharko Jovanoviq, me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku me datën 10/02/2018, gjate kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës të pandehurit Zarko Jovanovic është gjetur dhe konfiskuar një armë e e markës TT e kalibrit 7.62 mm me numër serik C-91769 dhe 9 fishek të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje te organit kompetent.

I pandehuri Nedeljko Spasojevic, me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku me datën 23.11.2018 rreth orës 06:30 gjatë zbatimit të urdhër kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, i janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë e tipit kallashnikov AK-47 me kalibër 7.62×39 mm, një karikator AK- 47 si dhe 106 fishek e kalibrit 7.62 x 39 mm, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent.