Nedeljko Spasojeviq, I akuzuar, seanca 19.01.2024, Foto:KALLXO.com

VIDEO - I akuzuari në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit: Ma kanë ndryshuar deklaratën

Gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit më 2018-ën, u përcoll më kundërshtime avokatë – prokurori lidhur me provat që kjo e fundit i ka në dispozicion për këtë rast, përfshirë deklarata të dëshmitarëve e procesverbale të ndryshme.

Nedeljko Spasojeviq, një ndër të akuzuarit në këtë rast në seancën e së premtes tha se në deklaratën e tij të dhënë në prokurori janë bërë ndryshime.

Lidhur me këtë, prokurori Burim Qerkini i tha se në shkresat e lëndës nuk është ndonjë kundërshtim i paraqitur lidhur me këtë procesverbal të dëshmisë së të akuzuarit Spasojeviq.

Avokati i tij, Faruk Korenica i tha gjykatës e pyetjet ndaj klientit të tij ishin bërë nga hetuesit dhe jo prokurori.

Kurse avokati Dejan Vasiq, i cili mbron të akuzuarin Dragisha Markoviq tha se provat e paraqitura në aktakuzë janë bërë me qëllim të shfaqin diçka, por në fakt nuk ka asgjë (në aktakuzë).

Kundërshtime e as vërejtje ndaj provave të prokurorisë nuk pati i akuzuari Rade Basara me avokatin e tij Tomë Gashi.

Propozimet e avokatëve që provat e kundërshtuara të shpallen si të papranueshme, gjykatësi Valon Kurtaj i refuzoi.

Ai tha se faza e kundërshtimit të provave kishte kaluar dhe për këtë kishte një vendim të formës së prerë.

Ky gjykim pritet të vazhdojë në muajin shkurt dhe mars të këtij viti ku do të administrohen provat dhe do të jepen fjalë përfundimtarë të palëve.

Grupi i të akuzuarve prej Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq dyshohet se ka qenë i udhëhequr nga Millan Radoiçiqi kurse qëllimi i vrasjes, sipas Prokurorisë, ka qenë shtrirja e kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Dosja e Prokurorisë për të akuzuarit

Prokuroria po akuzon Marko Roshiqin, Silvana Arsoviqin, Nedeljko Spasojeviqin, Rade Basaran, se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, secili nga të akuzuarit e lartpërmendur në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen.

Sipas aktakuzës, ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit te vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të.

Përveç kësaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e Oliver Ivanoviqit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t’i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë, Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Dy policët, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat në vendin e ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi në dhjetor të vitit të kaluar i cili akuzohet se ka ndërhyrë në rastin e kësaj vrasjeje.

Milan Mihajloviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe falsifikim të dokumenteve.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj, Valbonë Selimaj dhe Musa Konxheli.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK .