Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, gjashtë vite pas gjykimi ende pa epilog

Qytetarë të shumtë u mblodhën të martën në qytetin e Mitrovicës së Veriut dhe në Beograd për të shënuar përvjetorin e vrasjes në janarin e 2018-tës të politikanit opozitar Oliver Ivanoviq, vrasësi i të cilit mbetet ende i paidentifikuar deri më tani, raportoi BIRN. Gjashtë vjetori i vrasjes së politikanit opozitar serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u shënua me ngjarje përkujtimore në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, ku ai u vra, dhe në kryeqytetin serb, Beograd. Disa nga familja e Ivanoviqit, së bashku me miq, ish-kolegë dhe mbështetës, ndezën qirinj para zyrës së partisë së tij politike, ku ai u qëllua në mëngjesin e hershëm të 16 janarit 2018.

Ndizen qirinj për Oliver Ivanoviqin në përvjetorin e vrasjes së tij

Janari i vitit 2018 qe i ftohtë për politikanin serb nga Kosova Oliver Ivanoviq, pasi i njëjti në orët e para të mëngjesit u qëllua për vdekje me gjashtë plumba në afërsi të selisë së partisë së tij, në Mitrovicën Veriore.

Politikani serb u ekzekutua nga dritarja e një veturë “Opel Astra” e cila ishte në lëvizje, pa targa e me xhama të errësuar, veturë e cila i gjet e djegur menjëherë pas atentatit.

Dy vite e nëntë që muaj i ishin dashur Prokurorisë Speciale që të finalizonte rastin me aktakuzë, duke listuar gjashtë persona: Rade Basara, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, si pjesëmarrës të kësaj vrasje.

Gjashtë vite pas, rasti i vrasjes ende ndodhet në gjykim pa një epilog përfundimtar në shkallë të parë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq – administratore në selinë e partisë së Ivanoviqit, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara – në cilësinë e policit hetues, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen se kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës të ngritur nga prokurori Burim Qerkini, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Më 27 dhjetor të këtij viti Prokuroria Speciale kishte  dalë me një njoftim që tashmë edhe një person do ballafaqohet me drejtësinë lidhur me këtë rast, duke u bërë i akuzuari i shtatë lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Pas ngritjes së aktakuzës, më 10 shkurt të vitit 2020 ishte mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarve të cilët nuk kishin pranuar fajësinë lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale.

Gjykimi tutje kishte vazhduar në mënyrë të rregullt me dëgjimin e një numri të konsideruar të dëshmitarëve, të cilët me raste edhe kishin ngurruar për të dëshmuar si shkak i frikës siç thonin ata.

Kështu ishte shprehur dëshmitari anonim i Prokurorisë me një zë të deformuar dhe pa imazh, i cili nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me këtë rast.

“Për arsye të sigurisë sime personale, nuk jam në gjendje të deklarohem” – kishte thënë dëshmitari i mbrojtur, në seancën e 18 tetorit 2022.

I njëjti kishte deklaruar se për detaje mund të fliste personalisht në katër sy me kryetarin e trupit gjykues, duke u deklaruar se e di rëndësinë e dëshmisë së tij por që në rend të parë është siguria e jetës së tij.

Dëshmitar anonim deri në shtator të vitit 2022 kishte qenë edhe ish-zyrtari policor M. M., i cili kishte vendosur që vullnetarisht të jepte dëshmi publikisht.

Dëshmitari në këtë seancë kishte thënë se ai nuk kishte kërkuar që të jetë dëshmitar anonim por Prokurori.

“Asnjëherë nga askush nuk kam pasur kërcënime, që nga dita e parë e deri më sot”- kishte thënë dëshmitari M. M.

Se ka frikë të dëshmojë lidhur me këtë rast, por për rrethana të tjera ishte shprehur ish-bashkëshortja e politikanit serb, Millena Popoviq.

Sipas Popoviqit shkak i mosprezencës së saj në gjykatore për të dëshmuar janë rrethanat e krijuara politike në veri, pasi një numër i madh i zyrtarëve policor kishin dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në veri të vendit.

E njëjta kishte kërkuar nga gjyqtari i rastit Valon Kurtaj, që t`i mundësohej dhënia e dëshmisë përmes video-linkut e jo me prezencë fizike.

Ky i fundit kishte bërë kërkesë për bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar me shtetin e Serbisë.

Pas përpjekjeve të organeve të rendit, dëgjimi i dëshmitares Popoviq ishte arritur tek në maj të vitit 2023 përmes video-linkut.

Popoviq kishte ndarë momente nga dita kritike kur kishte marrë në telefon bashkëshortin e saj, i cili nuk ishte lajmëruar përpos një momenti kur telefoni i tij ishte hapur dhe ishin dëgjuar disa zhurma.

“E kam telefonuar por nuk është lajmëruar, në një moment është hapur lidhja telefonike dhe e kam dëgjuar një zhurmë që kam menduar se është ndonjë tubim me njerëz, pas një kohe më ka thirrur dikush nga zyra dhe më kanë thënë se Oliveri është rrëzuar dhe është dërguar në spital”- kishte deklaruar e përlotur ajo.

E veja e Oliver Ivanoviqit kishte deklaruar në Gjykatën e Prishtinës se nuk ka njohuri se kush e kishte vrarë burrin e saj.

“Po ta kisha ditur unë, do ta kishit ditur edhe ju, edhe e gjithë bota. Qëndroj pas asaj që do të paguajnë të gjithë ata që qëndrojnë pas kësaj”- pati deklaruar Milena Popoviq.

Se kjo vrasje kishte tërhequr vëmendjen në rajon e më gjerë, këtë e dëshmon më së miri deklarimi i ministrit të Brendshëm të Serbisë, Bratisllav Gashiq në qershor të këtij viti, i cili kishte deklaruar se autoritetet serbe e dinë me saktësi kush është autori i vrasjes së Ivanoviqit.

“E dimë saktësisht se kush është vrasësi”- kishte thënë Gashiq, gjatë një fjalimi në një seancë të Parlamentit të Serbisë, që ishte thirrur nga opozita, e cila po kërkonte shkarkimin e tij, raportoi Agjencia Beta.

Deklarimi publik i ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, u bë diskutim  brenda sallës e Gjykatës së Prishtinës, nga avokati i të akuzuarit Nedelko Spasejoviq, avokati Faruk Korenica, i cili kishte kërkuar që përmes bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar të sigurohej dosja nga Beogradi lidhur me deklarimet e ministrit të Brendshëm serb.

Pas dëgjimit të një numri të konsideruar të dëshmitarëve si prova personale, procedura kishte arritur në fazën e administrimit të provave materiale dhe atë në shikimin e video-incizimeve nga vendi i ngjarjes.

Këtë propozim për të shikuar video-incizimet nga disa kënde të ndryshme të objekteve nga kishte kaluar Ivanoviq ditën kritike, e kishte kërkuar avokati Mahmut Halimi, i cili përfaqëson të akuzuarin Mark Roshiqi.

Ky i fundit akuzohej se kishte përcjellë të ndjerin në ditën kur ka ndodhur vrasja.

Pas disa seancave të shtyra lidhur me problemet për precizimin e videove që në vete përmbanin dhjetëra GB përmbajtje, në dhjetor të vitit 2023 arritën të shikoheshin momentet e fundit para se të vritej Ivanoviqi.

Në këtë proces kanë mbetur që të dëgjohen edhe disa dëshmitarë, dhënia e mbrojtjes nga të akuzuarit dhe fjala përfundimtare deri në shpalljen e aktgjykimit.

Pesë faqe prova të propozuara nga gjithsej 38 faqe aktakuzë të propozuara nga Prokuroria, pritet të vendosin fatin e gjashtë të akuzuarve lidhur me këtë rast.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria Speciale pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në Oliver Ivanoviqin duke e lënë të vdekur.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Speciale Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Dy policët Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur.

 

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK