Vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK, prokurori: Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja plumbash

Një grua shtatzënë është vrarë në orët e mbrëmjes së sotme në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili  pasi kreu krimin është larguar në drejtim të panjohur.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin ku është kryer krimi.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori i rastit, Ilaz Beqiri.

Prokurori Beqiri tha se janë disa raste të raportuara për të dyshuarin porse ende nuk ka të dhëna të sakta pasi nuk ka arritur që ta shohë të kaluarën penale të të dyshuarit.

“Nuk kam të dhëna të sakta në lidhje me veprat penale. Di vetëm të them se janë disa raste të raportuara por nuk kam aktualisht detaje. Është përmendur që ka edhe rast të dhunës në familje sepse nëse nuk kishte pasur ndonjë rast nuk do të ekzistonte as urdhër mbrojtja” – tha prokurori Beqiri për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur provat e duhura për ta trajtuar rastin që ndodhi në orët e mbrëmjes në oborrin e QKUK-së, më saktësisht para hyrjes së Klinikës së Gjinekologjisë.

Gjithashtu prokurori Beqiri konfirmoi se i dyshuari ende është në arrati.

“Policia është duke kryer veprimet që ka në kompetencë që të kryej, deri tani ende nuk është arrestuar i dyshuari”- shtoi tutje Beqiri.

KALLXO.com raportoi në orët e mbrëmjes së ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij e cila ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë kishte një aktakuzë të ngritur në gusht të këtij viti për veprën penale të kanosjes.

Tutje KALLXO.com raportoi edhe se viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti burrin e saj për dhunë në familje.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar në një bisedë telefonike, Drejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt Basri Shabani.

” Në muajin e shtatë të këtij viti kemi pasur të raportuar një rast të dhunës në familje.Është rasti i vetëm që e kemi për këtë ngjarje në Ferizaj. Rastin e kemi trajtuar dhe është dërguar në prokurori lënda. Viktima nuk ka pranuar që të shkoj në strehimore dhe me dëshirën e P ajo është dëerguar te familjarët e saj në një komunë tjetër”.

Tutje i njëjti tha se Policia e Rajonit të Ferizajt nuk ka pasur asnjë vendim për urdhërmbrojtje ndaj viktimës.

“Të paktën ne në Ferizaj sepse menjëherë i pyeta edhe hetuesit e rastit, nuk kemi pasur ndonjë vendim për urdhërmbrojtje të paktën jo që është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj”- tha tutje Shabani.

Ngjarja e rëndë e shënuar në orët e mbrëmjes së sotme tashmë është duke u trajtuar nga organet e rendit.

Policia ka arritur që të identifikoj të dyshuarin dhe është në kërkim të të njëjtit pasi që dyshohet se burri pasi kreu aktin, është  larguar nga vendi  i ngjarjes.

Gruaja e cila ishte edhe shtatzënë është vrarë në oborrin e QKUK-së më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë.