Vlora Çitaku e quan papërgjegjësi e injorancë deklaratën e Gërvallës për BE-në

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka konsideruar papërgjegjësi e injorancë deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se Bashkimi Evropian është “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë, pa NATO-n e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”- ka shkruar Citaku në Facebook.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka thënë se Bashkimi Evropian, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “tigër prej letre”.

Kryediplomatja e Kosovës ka thënë se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.

“Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: Nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Paper Tiger” në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme”- ka deklaruar Gërvalla.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar emisari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gërvalla tha se BE-ja pa SHBA-në është ‘tigër prej letre’, Escobar dhe Lajçak i kundërpërgjigjen