Gërvalla tha se BE-ja pa SHBA-në është ‘tigër prej letre’, Escobar dhe Lajçak i kundërpërgjigjen

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka thënë se Bashkimi Evropian, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “tigër prej letre”.

Kryediplomatja e Kosovës ka thënë se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.

“Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: Nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Paper Tiger” në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme”- ka deklaruar Gërvalla.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar emisari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Më vjen keq, që dua të dalloj këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit është arritur me bashkëpunimin e kombinuar SHBA-BE. Integrimi mbetet aspirata jonë më e lartë për rajonin”- ka theksuar diplomati amerikan.

Ndërsa, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Forumin e Dubrovnikut i është kundërpërgjigjur Gërvalles duke thënë se “BE-ja është larg të qenit perfekt, por është më i miri që kemi”.

“Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së”- ka thënë Lajçak.