Vlerësimi i Inteligjencës amerikane: Prigozhin ishte ‘me shumë gjasa’ në shënjestër për t’u vrarë

Një shpërthim në bord ndoshta e ka rrëzuar aeroplanin ku supozohet se ishte lideri i Wagner, thotë konkluzioni i një vlerësimi paraprak të inteligjencës amerikane.

Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë thanë se kanë përcaktuar se Prigozhin ishte “me shumë gjasa” një shënjestër dhe se shpërthimi është në përputhje me “historinë e gjatë të Putinit në përpjekjet për t’i heshtur kritikët e tij”.

Disa nga togerët e Prigozhinit u supozuan gjithashtu të vdekur. Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder, tha se ai nuk ka asnjë indikacion se aeroplani ishte rrëzuar nga një raketë tokë-ajër.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka thënë se Kievi nuk ka asnjë lidhje me rrëzimin e avionit ku ishte Prigozhin. Vdekja e supozuar e Prigoshin e përcjell një model të vdekjeve “të paqarta” në Rusi, tha të enjten ministri i jashtëm i Gjermanisë.

Vladimir Putin e ka quajtur Yevgeny Prigozhinin një “biznesmen të talentuar” me “një fat të vështirë”.

Në një takim në Kremlin, presidenti e rus foli për herë të parë për rrëzimin e aeroplanit të biznesit të shefit të Wagner, duke u shprehur ngushëllime familjeve të 10 personave në bord.

Ai tha se Prigozhin ishte kthyer në Rusi nga Afrika të mërkurën dhe kishte takuar “disa zyrtarë”, pa specifikuar se cilët.

“Ai ishte një njeri me një fat të vështirë. Ai bëri disa gabime serioze në jetën e tij”, ka deklaruar Putin.

Aeroportet Vnukovo dhe Domodedovo të Moskës i kanë pezulluar fluturimet herët të premten, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Tass.

Banorët e rajoneve ruse të Tula dhe Kaluga më herët postuan në mediat sociale për shpërthimet që dëgjuan gjatë natës, raportoi media ruse në internet Baza. Fluturimet gjithashtu u ndërprenë shkurtimisht të martën dhe të mërkurën gjatë sulmeve me dronë ukrainas.

Forcat ukrainase shënuan ditën e pavarësisë së vendit me një sulm detar në Krimenë e pushtuar dhe Zelenskiy i vlerësoi ukrainasit për sfidën dhe guximin që u ka fituar atyre mbështetjen globale në luftën kundër Rusisë.

Festa kombëtare e Ukrainës festohet pas pavarësisë së fituar nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, por këtë vit shënon gjithashtu 18 muaj që kur pushtimi në shkallë të plotë i Vladimir Putinit e zhyti këtë vend në një luftë për mbijetesë.

SHBA do të fillojë me trajnimin F-16 për pilotët ukrainas në tetor.

“Pas trajnimit në gjuhën angleze për pilotët në shtator, trajnimi i fluturimit F-16 pritet të fillojë në tetor në Bazën e Gardës Kombëtare Ajrore Morris në Tucson, Arizona, i lehtësuar nga krahu i 162-të i Gardës Kombëtare Ajrore”, ka deklaruar Ryder.

Zelenskiy ka thënë herët të premten se ka biseduar me presidentin amerikan Joe Biden.

Zelenskiy tha se e ka falënderuar Biden për urimet e tij për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës dhe mbështetjen në konfliktin me Rusinë.

“Së bashku, ne dëshmojmë se ia vlen të luftohet për lirinë dhe pavarësinë,” tha ai në një deklaratë.

Rusia do t’i kthehet marrëveshjes së grurit të Detit të Zi vetëm nëse Perëndimi i përmbush “detyrimet ndaj Moskës”, i tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala