Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani: Kosova është projekt i paprekshëm në aspektin territorial

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka folur për idenë dhe deklaratat për ndryshimin e kufijve aktualë të Kosovës.

Osmani ka shkruar se e çmon angazhimin e ndërkombëtarëve për lehtësimin e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe të Serbisë, por ka thënë se Bashkimi Europian nuk mund të shërbejë vetëm si forum ku bëhet dialogu, por duhet të ofrojë edhe udhëzime që bazohen në parime e vlera. Sipas saj, ndryshimi i kufijve nuk bën pjesë në këto parime e vlera.

“Kosova është Republikë parlamentare. Kuvendi ka rol vendimtar në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, Politikës së Jashtme dhe atë të Sigurisë. Rrjedhimisht, do të ketë rol të rëndësishëm në përmbylljen e një marëveshjeje të tillë eventuale. Andaj, çdo përpjekje dhe angazhim për marrëveshje përfundimtare duhet të afirmojë edhe jetësimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Osmani.

Ajo po ashtu, ka shkruar se Kosova është e njohur nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Europian dhe pavarësia e saj është e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“ Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve, sepse në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon”, ka shkruar tutje Osmani.

Në fund Osmani ka shkruar se një zgjidhje të tillë nuk e përkrahin as qytetarët e Kosovës dhe rrjedhimisht do të mbeteshin të pazbatueshme.