Ilustrim: Trafiku rrugor në Prishtinë

Vizita e presidentit të Maqedonisë së Veriut, policia njofton për bllokadat e shkurta në trafik

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski do të vizitojë Republikën e Kosovës sot dhe do të ketë takim me homologen e tij, Vjosa Osmanin.

Për këtë takim, Policia e Kosovës ka përgatitur një plan operativ për ofrimin e sigurisë së presidentit Pendarovski dhe delegacionit të tij shoqërues.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë agjendës zyrtare të presidentit Pendarovski, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës,  Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Takimi i presidentes Vjosa Osmani me presidentin Pendarovski do të nis në ora 11:00.