Gjendja e sigurisë: Vidovdani nuk do mbahet këtë vit në Gazimestan

Manastiri i Deçanit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se për shkak të situatës aktuale të sigurisë, ceremonia tradicionale e Vidovdanit (Beteja e Kosovës) nuk do mbahet në lokacionin e zakonshëm – tek monumenti në Gazimestan, por në Manastirin e Graçanicës më 28 qershor.

Lidhur me këtë, një njoftim është lëshuar edhe nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ku përmendet situata e sigurisë si dhe arrestimet e serbëve.

“Duke marrë parasysh situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë, ku populli ynë aktualisht po jeton në një gjendje të pasigurisë dhe ndjen mungesë të të drejtave dhe lirive elementare, veçanërisht pas serisë së fundit të arrestimeve dhe keqpërdorimeve të serbëve të paraburgosur, si peshkop dioqezan, me përgjegjësi të plotë baritore, kam marrë vendimin e mëposhtëm: që Vidovdani këtë vit të mbahet në Manastirin e Graçanicës”- thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ky vendim u mor pasi nuk kanë besim që Policia do ofrojë kushtet e duhura të sigurisë.

Tutje, në njoftim theksohet se Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë mbrojtje shtesë nga KFOR-i gjatë festimeve të këtij viti.

“Theksojmë se kjo është hera e parë, që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë e në vitin 1999, që merret një vendim i tillë, i cili vetëm tregon peshën e situatës së sigurisë, por edhe mosbesimin tonë të plotë në institucionet aktuale në Prishtinë, të cilat, për fat të keq, i kanë sjellë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe Metohi në nivelin më të ulët në 24 vitet e fundit”- u tha në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se Peshkopi Teodosije u takua sot me komandantin e KFOR-it, gjeneral Ristuccia dhe shprehu shqetësimet e tij  për përkeqësimin e fundit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai gjithashtu e informoi gjeneralin për planet për festimet e ardhshme të Vidovdanit.