VIDEO - Pamje nga takimi trepalësh në Bruksel

Komisioni Evropian ka publikuar pamje brenda takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili është duke u zhvilluar në Bruksel.

Takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke vazhduar ende në Bruksel.

Takimi po zhvillohet me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka konfirmuar mbrëmë se do të thërrasë një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”- shtoi Borrell.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje ka thënë se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës dje ka njoftuar se gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.