Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

VIDEO - Deputetja britanike ngreh dyshime që hetimi për Banjskën ka përfunduar e nuk po publikohet

Hezitimin për ta publikuar hetimin ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, deputetja britanike Alicia Kearns po e cilëson si një nga brengat e saj, duke ngrehur dyshime se pse po ndodh një gjë e tillë.

Kearns thotë që ka njohuri që ky hetim ndërkombëtar që do ishte një hap drejt zbardhjes së rastit tanimë ka përfunduar por nuk e din pse akoma nuk po publikohet.

Zbardhja e këtij hetimi ka qenë edhe një nga pikat e cila është kërkuar në letrën drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, nga Kryesuesit e Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane.

Përpos që i kanë bërë thirrje BE-së, në këtë letër kryesuesit kanë kërkuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar e SHBA-ja që të publikojnë rezultatet e çfarëdo hetimi që ata kanë.

“Pyetja që unë do e parashtroja është që nëse ekziston një hetim që tanimë ka përfunduar, e unë besoj që po, pse atëherë ai nuk është publikuar?”- ngriti pyetjen Kearns, në një intervistë për KALLXO.com.

Kearns ngreh në dyshim që pse për shembull nuk janë publikuar më shpejt rezultatet e hetimit, “apo ndoshta sepse ata kanë frikë për zgjedhjet në Serbi sepse nëse është kryer një hetim i plotë ndaj sulmit terrorist ata nuk do duhet ta pezullojnë atë në interes të mbrojtjes së interesave politike në Serbi por duhet ta publikojnë atë kur ai është i gatshëm dhe i kompletuar”.

Deputetja e cila vazhdimisht ka shprehur përkrahjen e saj ndaj Kosovës, thotë që për të publikuar këto rezultate i ka bërë dhe po i bënë presion Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, ajo shpreh drojën që nuk do shohim ndonjë rezultat.

Sipas saj, Mbretëria e Bashkuar ka përgjegjësi si partner i Kosovës për tu siguruar që e vërteta të del në pah sepse arsyeja pse kjo ka rëndësi është që pa llogaridhënie, pa të vërtetën, nuk do të mund të vazhdohet në procesin e paqes.

BE-ja tha se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte.

Kosova ka kërkuar ndihmë edhe prej vendeve fqinje për hetimin e sulmit në Banjskë, i cili ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë e rajonit.

Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia e mohoi përfshirjen.