Vetura me targa nga Rashka u dërgon ushqim punëtorëve në objektin e strukturave paralele

Deri sa kanë më shumë se 20 orë që po qëndrojnë brenda hapësirave të objektit në “Lagjen e Boshnjakëve”, punëtorët e strukturave paralele serbe pasditen e sotme janë furnizuar edhe me ushqime pasi të njëjtit nuk kanë dalë fare nga objekti, ashtu siç kanë pasur edhe ultimatum nga ana e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në orët e pasdites një veturë me targa nga Rashka u solli ushqim e pije punëtorëve që po qëndrojnë në këtë objekt, i cili tash e sa vite shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron nga mëngjesi në oborrin e kësaj ndërtesë për të parë nga afër nëse të njëjtit do t’i binden ultimatumit të dhënë nga Komuna e Mitrovicës së veriut për t’u larguar nga objekti për shkak se nuk kanë dorëzuar dokumente të cilat tregojnë bazën ligjore të funksionimit të strukturave paralele serbe.

Gjatë ditës ekipi i KALLXO.com tentoi që të hyjë brenda kësaj ndërtesë për të biseduar me punëtorët por që të njëjtit nuk lejuan një gjë të tillë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut Erden Atiq ka qenë i paqasshëm përmes telefonit për të dhënë shpjegime se cilat do të jenë veprimet në rast se strukturat paralele serbe nuk respektojnë ultimatumin për largim.

Në ora 15:00 pretendohet se ka përfunduar orari zyrtar në këtë ndërtesë ndërsa deri më tani nuk ka asnjë veprim nga ana e tyre për lirimin e ndërtesës.

Dyert janë të mbyllura por punëtorët vazhdojnë qëndrimin brenda hapësirave.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com