Deputeti Veton Berisha

Veton Berisha denoncon 'Iniciativën Rome' se është produkt i Listës Serbe

Kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha ka akuzuar partinë ‘Romani Iniciativa’ [Iniciativa Rome], për bashkëpunim me Listën Serbe.

“Partia Liberale Egjiptiane (PLE) është informuar nga mediumet për një version të ri politik, i cili dirigjohet nga Subjekti Politik “Lista Serbe” se kinse janë formuar dy subjekte politike të komuniteteve joshumicë të cilat janë nën kontrollin e këtij subjekti politik”, ka thënë ai në një komunikatë për media.

Sipas tij nga rezultatet preliminare të KQZ-së vërehet se subjekti Politik “Iniciativa Rome” është produkt i “Listës Serbe”, andaj edhe kjo parti ka marrë vota në komunat që nuk ka fare romë.

“Fillimisht, PLE e ka konsideruar këtë informatë si formë e fushatës parazgjedhore por pas rezultateve zgjedhore të publikuara nga KQZ në disa Komuna të Kosovës,  vërehet qartë se Subjekti Politik “Romani Iniciativa” është produkt i “Listës Serbe” sepse ky subjekt politik ka marrë një numër të madh të votave në vendbanime ku nuk jeton fare komuniteti rom”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kjo praktikë është e rrezikshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“PLE, veprimet e tilla i konsideron si shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe votës së lirë prandaj PLE fton misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse nëse tani nuk do të reagohet, kjo praktikë do të bëhet në të ardhmen precedent i rrezikshëm, i cili do të cenojë të drejtën e votës së lirë të qytetarëve. PLE do të pres deri në rezultatet preliminare dhe pas publikimeve të tyre, do të ndërmerr veprime të tjera procedural sipas ligjeve në fuqi”, ka shtuar ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me përfaqësues të Iniciativës Rome, por kontakti me ta ka qenë i pamundur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Në zgjedhjet e së dielës sipas rezultateve preliminare, Iniciativa Rome i ka marrë 3827 vota, madje kjo parti ka marrë vota edhe në komuna ku nuk jeton asnjë banor i komunitetit rom.

Akuza për manipulime të votave nga Lista Serbe pati edhe për iniciativën e Adriana Hoxhiq.

Në një intervistë dhënë për BIRN, Adrijana Hoxhiq, udhëheqësja e Nismës Qytetare (Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq, UZ-AH), hodhi poshtë pretendimet e bëra nga partitë e tjera boshnjake të Kosovës rreth parregullsive në zgjedhjet e së dielës.

Duke garuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, UZ-AH fitoi 6,379 vota të dielën dhe kjo nismë duket se do të përfundojë si njësia politike më e votuar që garon për tri ulëset e rezervuara për komunitetin boshnjak në Kuvendin e Kosovës.

Partitë e tjera që garojnë me UZ-AH përfshijnë Koalicionin Vakat, i cili aktualisht ka 5,672 vota, Nova Demokrastska Stranka, NDS, të cilët kanë marrë 2,763 vota dhe Socialdemokratska Unija, SDU, të cilët kanë 2,434 vota.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur marrëveshje mes meje dhe Listës Serbe. Këtë ua garantoj me siguri totale. Nuk e di kur jam takuar për herë të fundit me Goran Rakiqin, me siguri sa ka qenë ministër, ndoshta kemi pasur ndonjë bashkëpunim Komuna dhe z.Rakiq. Mos harroni se kryetar në këtë komunë është personi i cili i takon Listës Serbe dhe për mua është e domosdoshme të bashkëpunoj me personat që janë në këtë komunë”, tha ajo në KALLXO.com.

Adrijana Hoxhiq mohon të ketë bërë marrëveshje me Listën Serbe