Jep dorëheqje drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Mitrovicë, Valdete Idrizi

Valdete Idrizi, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar më 22.02.2024 se ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Ajo ka treguar se dorëheqje ka dhënë për arsye personale.

“Ditën e djeshme, i kam kërkuar kryetarit Bedri Hamza të më liroj nga detyra e drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit! Kjo kërkesë shtrohet për arsye personale e familjare!”- ka thënë Idrizi në postimin e saj në Facebook.

Tutje ajo tregon se gjatë dy viteve që ka qenë në krye të kësaj drejtorie kanë përfunduar projekte të mëdha, e disa prej tyre siç thotë ajo janë në fazën përfundimtare.

“Ndërtimi i Bibliotekës së qytetit; Renovimi i tërësishëm i Qendrës së Kulturës; Renovimi i Teatrit; Renovimi i Palestrës së sporteve Minatori; Ndërtimi i fushës sportive në Kçiq; funksionalizimi i Palestrës Fatime Xhaka, etj. Disa nga projektet e lartëpërmendura, tashmë janë në fazën përfundimtare e disa të tjera pritet të përfundojnë gjatë këtij viti”- theksoi mes tjerash Idrizi.

“Unë gjatë këtyre dy viteve kam punuar me shumë dashuri e përkushtim, me ndershmëri, përgjegjshmëri e transparencë, duke krijuar partneritet të shëndoshë me komunitetin, me partnerë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë; gjithnjë duke shpresuar në ndërtimin e një sistemi të bazuar tek meritokracia dhe mundësitë e barabarta!”- përfundoi Idrizi.

Kurse kryetari i komunës, Bedri Hamza përmes një postimi në Facebook e ka falënderuar Idrizin për bashkëpunim.

“Dëshiroj ta falënderoj Valdeten për punën e saj të palodhshme dhe përkushtimin në DKRS. Së bashku kemi realizuar shumë premtime në të mirën e qytetarëve të Mitrovicës dhe disa nga këto punë do të mbesin trashëgimi në qytetin tonë”- ka thënë Hamza.