
Veseli tregon se a do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur rreth mundësisë që partia e tij të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Klan Kosova Veseli ka thënë se partia e tij nuk do të bëjë koalicion me partinë e Albin Kurtit.
“Nuk do të jem në koalicion me Vetëvendosjen me asnjë ofertë”, ka thënë kreu i PDK-së.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me asnjë parti përveç me “ato që bashkëpunojnë me Serbinë dhe që mashtrojnë qytetarët”.
Kadri Veseli ka komentuar edhe mosarritjen e koalicionit mes LDK-së dhe LVV-së për bashkëqeverisje.
Ai tha se për dy vjet u promovua ky koalicion dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit ende s’ka asgjë.
“Kjo është më tepër se sa mashtrim, është tradhti. Ky është fillimi i dëshpërimit të qytetarëve. Kjo për faktin se tash po del se s’ka marrëveshje, po del se kanë dalë në pikën zero, se të gjitha ato qe i kanë trumbetuar ishin për përfitim elektoral”, ka thënë ish-kryekuvendari.
Madje Veseli e ka titulluar mosarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje “merr-jep”.
“Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk diskutuan mbi temat dhe parimet, po se u morën me ndarje të posteve. Tre muaj ditë çdo bisedë që e kanë bërë ishte merr dhe jep. Koalicioni i tyre është merr-jep. Jo po ta jap një ministri më shumë, jo presidentin, jo drejtorin e AKI-së apo drejtorin e Policisë”, ka thënë lideri i partisë më të madhe opozitare.
LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.
Madje sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.
Në këtë seancë megjithatë u zgjodhën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.