Foto: Facebook/ PDK

Veseli në Podujevë: Mos i votoni ata që po e promovojnë antiamerikanizmin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e fushatës për zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, ka kërkuar nga qytetarët e kësaj komune që të mos e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi që sipas tij, këto dy parti po e rrezikojnë partneritetin me ShBA-në. 

“Mos i përkrahni ata të cilëve mund t’ua shohim sherrin. Ata që po rrezikojnë Kosovën dhe të ardhmen tonë duke promovuar antiamerikanizmin. Mos i votoni ata. Podujeva meriton më mirë. Podujeva meriton më shumë. Ndryshimin mund ta bëjë Naimin Fetahu”, ka thënë Veseli.

Sipas një njoftimi të PDK-së, lideri opozitar ka thënë se për 20 vjet Podujevën e kanë qeverisur ata që vetëm qytetarin nuk e kishin prioritet.

“Dy kundërkandidatët e Naimit, po vazhdojnë të premtojnë por nuk e di çka mund të premtojnë ata. Qe 20 vjet kanë qenë në qeverisje – ndërkohë shikone gjendjen e qytetit. Kanë qenë edhe drejtor të arsimit, e arsimi është si mos më keq në Podujevë. PDK është me fat që ka Naimin si kandidat. Ai i din problemet e Podujevës. Ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në të gjitha epokat. Si në luftë, si në paqe. Duke përkrahur Naimin, do të përkrahni ndryshimin”, tha Veseli.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, tha se qe dy dekada Podujeva për të cilën dhanë aq shumë qytetarët, është në gjendje të mjerueshme nga qeverisja e keqe.

“Këtë gjendje e ka sjellë LDK. Drejtorët e Agim e Veliut nuk mund të jenë më alternativa. Ka ardhur momenti që Podujeva të ndryshoj për të mirë. Podujeva meriton më mirë. Unë, me një qeverisje komunale e cila do të ketë gjysmën e drejtorive të udhëhequra nga gratë, do të punojmë pa ndalur për qytetin dhe qytetarët tanë. Do të mbështesim bizneset, bujqit. Do të rregullojmë infrastrukturën e rrënuar. Do të ndërtojmë shkolla dhe çerdhe të reja. Do t’ia kthejmë qytetit tonë lavdinë. Prandaj, me 15 mars votoni numrin 10, numrin e ndryshimit”, tha Fetahu.

Sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata për zgjedhjet në komunën e Podujevës, e cila do të zgjasë deri më 13 mars, data 14 do të jetë heshtje ndërsa më 15 mars qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar shortin për numrat e kandidatëve të partive, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, që do të mbahen me 15 mars.

Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do ta mbajë numrin 10; Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë numrin 11; ndërsa Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje do ta mbajë numrin 12.

Filloi fushata për zgjedhjet në Podujevë