Vendos Kushtetuesja: Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur

Gjykata Kushtetuese, sot më 08.08.2025, mori vendim  që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kryetarin e institucionit ligjvënës përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të ri.

Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Kështu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur “TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi” – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar para pak minutash.

Kushtetuese gjithashtu mori vendim që seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 të shpallen të pavlefshme.

Në vendimin e saj të bërë publik këtë të premte, Gjykata tha se deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, dhe rrjedhimisht të seancat e mbajtura pas kësaj date janë pavlefshme.

Gjykata ka konstatuar njëzëri, që kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja ka urdhëruar se kryesuesi i Seances Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës: zgjedhjen e kryetari. Gjykata ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të propozohet vetëm tre herë.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;” – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 08.08.2025.

Gjykata po ashtu ka urdhëruar që të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive dhe të votojnë.

“TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë”-  thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Derisa, Kushtetuesja vendosi sot më 08.08.2025, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, cilido qoftë ai.

06.08.2025, dy ditë para ketij vendimi ai tha se nuk e di se cila do të jetë zgjidhja e Kushtetueses, por siguroi se do ta respektojnë atë.

“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të presim edhe fare pak ditë. Në këtë javë do të na njoftojnë se çka kanë menduar që duhet të ndodhë pas 30 ditëve- unë nuk e di se cila do të jetë zgjidhja natyrisht. Por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Dëm i madh është që Kosova nuk ka Kuvend, por Kosova ka Qeveri në detyrë” – tha Kurti.

Ndërkaq, Ambasada e Britanisë së Madhe, të njëjtën ditë ka bërë thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas kësaj ambasade, kjo gjykatë ka procedura të vendosura mirë për “shqyrtimet dhe vendimet e saj”.

“Aftësia e gjykatës për të funksionuar e pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës” – thuhet në statusin që ambasada britanike e ka postuar në Facebook, më 07.08.2025.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media më 05.08.2025 ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën që kishte parashtruar në Kushtetuese, pasi kjo gjykatë ka vendosur si gjyqtar raportues Radomir Llabanin, për të cilin ajo ka thënë se që nga viti 2018 ka informata se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.

Për tërheqjen e kërkesës nga Presidentja dhe deklaratat e saj për gjyqtarin Llaban, ka dal me sqarim publik vet Gjykata Kushteutese. Kushtetuesja ka shpjeguar se ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave procedurale, të cilat i “respekton me përpikëri”.

“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës” – thuhet mes tjerash në njoftimin e GjK-së, më 06.08.2025.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është marrë pas kërkesave të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mungesa e konstituimit deri më 26.07.2025 dhe vendimi për masën e përkohshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të fundit u mblodhën në seancë konstituive më 26.07.2025 në ora 22:00.

Vazhdimi i 54-të i seancës konstituive përfundoi pa sukses dhe rrjedhimisht hyri në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Në atë vazhdim, nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari doli në votim Komisioni për votim të fshehtë i cili ishte propozuar vazhdimisht që nga 01.05.2025.

As në vazhdimin e fundit, ky komision nuk mori votat e mjaftueshme që të kaloj, rrjedhimisht Dehari konstatoi se nuk ka kuorum dhe ndërpreu seancën konstituive deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.

Kushtetuesja ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK. Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar gjashtë herë Albulena Haxhiun për Kryekuvendare. Por, asnjëherë ajo nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.