Takimi në mes kryeministrit Kurti dhe ambasadorëve të QUINT, Foto: ZKM

Vendimi i BQK-së për dinarin, kryeministri Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Ky takim vjen një javë pas vendimit Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros, nga data 1 shkurt 2024, si valutë e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës.

Ky vendim i BQK-së kishte ngjallur reagime.

Zëvendëskryeministrit Bislimi pas këtyre reagimeve kishte deklaruar se dinari nuk ka qenë i lejuar asnjëherë më parë në Kosovë dhe se vendimi i BQK-së nuk është produkt i negociatave nё Bruksel.

Së fundmi, më 24 janar, ambasadori Szunyog ka zhvilluar një takim me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismailin, nga i cili kishte kërkuar sqarime për punën e zbatimit të këtij vendimi pasi që, sipas tij, “pritet të ndikojë sidomos në jetesën e qytetarëve në zonat e banuara me shumicë serbe”.

Ndërsa, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi i sotëm i Kurtit ishte një prej takimeve të rregullta me ambasadorët me qëllim të informimit, diskutimit dhe koordinimit mbi temat të ndryshme aktuale.

“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.

Më 19 janar, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte thënë se janë duke analizuar vendimin e marrë nga BQK-ja dhe janë duke kërkuar edhe sqarime shtesë.

Stano po ashtu kishte thënë se i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që temat e tilla t’i adresojnë përmes dialogut.

Kurse, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe kishte reaguar më 18 janar, duke thënë se ky vendim është marrë për dëbimin e serbëve nga Kosova.

“Vendimi i regjimit të Albin Kurtit për heqjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë është në fakt vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorur armë” – është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Kurse, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ishte shprehur se vendimi i BQK-së që të mos lejojë pagesat në Kosovë me dinarin serb, ishte një “befasi e panevojshme”.