(Ilustrim) Monedha euro - Foto: PK

Lista Serbe: Heqja e përdorimit të dinarit në Kosovë është vendim për dëbimin e serbëve

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një Rregullore për operacionet për paratë e gatshme, ku thuhet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Lista Serbe tha se ky vendim është marrë për dëbimin e serbëve nga Kosova.

“Vendimi i regjimit të Albin Kurtit për heqjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë është në fakt vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorur armë” – thuhet në reagimin e kësaj partie.

Tutje, Lista Serbe thekson se “pas të gjitha formave të dhunës institucionale që janë përdorur kundër popullit serb nga regjimi autoritar i Kurtit, i cili ka dështuar të dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu rrezikon drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb”.

Në këtë reagim u theksua se ky vendim është i rrezikshëm dhe zbatimi i tij do të shkaktonte spastrim klasik etnik të serbëve dhe joshqiptarëve.

Gjatë ditës, për këtë çështje reagoi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Sipas Bislimit, Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për  “Operacionet me Para tё Gatshme”, është miratuar nga bordi i këtij institucioni nё fund tё dhjetorit tё vitit qё lamё pas, e si e tillë nuk e liston asnjё mjet pagese veçmas, pёrveç specifikimit qё buron nga neni 11 i Kushtetutёs sё Republikёs sё Kosovёs.

Ai tha se rrjedhimisht nё Rregulloren e sipёrpёrmendur nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, duke thënë se është diçka qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё.

“Pёr mё tepёr, as dinari e as monedhat e asnjё shteti tjetёr fqinj nuk janё pёrmendur fare nё tekstin prej 40 faqesh tё kёsaj rregulloreje” – vazhdoi tutje ai.

Ai tha se kjo Rregullore nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Republikёs sё Kosovёs dhe fqinjit verior.

Bislimi: Dinari nuk ka qenë i lejuar asnjëherë më parë në Kosovë, Rregullorja e BQK-së nuk është produkt i negociatave nё Bruksel