Vendimi i BQK-së për dinarin, shefi i Zyrës së BE-së u takua me guvernatorin Ahmet Ismaili

Sipas Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Lidhur me këtë shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar takim sot me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismailin.

Szunyog ka kërkuar sqarime nga Ismaili për punën e zbatimit të këtij vendimi pasi që pritet të ndikojë sidomos në jetesën e qytetarëve në zonat e banuara me shumicë serbe.

“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam për Rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara”- ka shkruar Szunyog në platformën “X”.

“E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të Rregullores”- ka shtuar ai.

Për Rregulloren, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se janë duke e analizuar vendimin e marrë nga BQK-ja ndërsa janë duke kërkuar edhe sqarime shtesë.

Stano tha se i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që temat e tilla t’i adresojnë përmes dialogut.

BQK ka sqaruar se nga 1 shkurti 2024 asnjë valutë tjetër përveç euros nuk mund të përdoret si mjet pagese në Republikën e Kosovës.

Sipas Rregullores së re “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

“Megjithatë, subjekt i kësaj Rregulloreje nuk janë aspektet e transaksioneve vullnetare ndërmjet palëve dhe rreziqet që bartin transaksionet e tilla janë përgjegjësi e palëve të përfshira në to”- thuhet në sqarimin e BQK-së.