Foto ilustruese: Pixabay

Vendimi i BQK-së që pagesat të bëhen vetëm me valutën Euro, reagon BE-ja

Sipas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është – Euro.

Zëdhënës i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se janë duke analizuar vendimin e marrë nga BQK-ja ndërsa janë duke kërkuar edhe sqarime shtesë.

Stano tha se i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që temat e tilla t’i adresojnë përmes dialogut.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, si për arsyet, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë por në përgjithësi nga Kosova dhe Serbia pritet t’i shmangin veprimet të cilat janë të pakoordinuara që nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në stabilitet. Ne ju bëjmë thirrje të dyja palëve që këto tema t’i adresojnë përmes dialogut”- ka thënë ai në konferencë.

BQK ka sqaruar se nga 1 shkurti 2024 asnjë valutë tjetër përveç euros nuk mund të përdoret mjet pagese në Republikën e Kosovës.

Sipas rregullores së re “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro , për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

“Megjithatë, subjekt i kësaj rregullore nuk janë aspektet e transaksioneve vullnetare ndërmjet palëve dhe rreziqet që bartin transaksionet e tilla janë përgjegjësi e palëve të përfshira në to”- thuhet në sqarimin e BQK-së.

Euro – valuta e vetme për pagesë në Kosovë, BQK tregon se për çfarë mund të përdoren valutat e tjera