Vendet e Quintit për zgjedhjet e 3 prillit: Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar sot, shtetet e QUINT-it, kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serb në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Deklarata e plotë:

Votimi i serbëve të Kosovës brenda Kosovës në zgjedhjet e Serbisë: Deklaratë e përbashkët

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së shprehin keqardhje për mungesën e marrëveshjes për të mundësuar votën e serbëve të Kosovës brenda Kosovës në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë.

Deklarata e përbashkët e qeverive të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill 2022.

Ne e pranojmë se është e drejtë e posaçme e Qeverisë së Kosovës që të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndonëse ne vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga Kuinti. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të tregojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare.

Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat evropiane.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, ne mirëpritëm përafrimin e Kosovës me deklaratat e miratuara nga BE-ja dhe anëtarët e Kuintit. Megjithatë, Kosova pritet gjithashtu të mbajë vlerat dhe përgjegjësinë e saj thelbësore ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, si dhe të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të grupeve minoritare.

Presim që Qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për të arritur progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës në BE.

Ne përsërisim thirrjen tonë të fortë ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rrit tensionet dhe mund të çojë në incidente.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, Kurti: Nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit

Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi