Albin Kurti, Foto: Qeveria e Republikës së Kosovës

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, Kurti: Nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit

Serbia të dielën më 3 prill mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Përmes deklarimeve, zyrtarët shtetëror serb kërkuan që ato të mbahen edhe në Kosovë, siç janë mbajtur edhe në të kaluarën.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga institucionet e Kosovës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se nuk dëshirojnë të pengojnë votimin e personave me dy nënshtetësi, por nuk dëshirojnë as t’i shkelin ligjet e vendit.

“Ne nuk dëshirojmë që t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë një takimi virual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.

“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh kryeministri Kurti derisa tha se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

Kosovë së fundmi nuk lejoi mbajtjen e një referendumi serb në territorin e Kosovës. Për këtë, Kuvendi i Kosovës nxori edhe një rezolutë.

Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE kishte thënë se “Kosova përcakton kushtet për organizimin e zgjedhjeve të huaja në territorin e saj”.

Ambasadori amerikan në OSBE: Kosova përcakton kushtet për organizimin e zgjedhjeve të huaja në territorin e saj