Foto: Vehbi Miftari në Facebook
Vehbi Miftari emërohet ambasador në Vatikan
Pak javë pas hapjes së misionit të posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftari është emëruar ambasador.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vehbi Miftari përmes një postimi në Facebook.
Nga 1 shkurti, Miftari do nisë punën e tij në Vatikan, duke lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes Vjosa Osmani.
Vehbi Miftari ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e institucioneve të Kosovës. Ai ka qenë edhe profesor e gazetar.
Miftari ka qenë këshilltar politik i presidentes Vjosa Osmani, këshilltar politik i Vjosa Osmanit sa ka qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës, mësimdhënës i angazhuar në Fakultetin e Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës, profesor i asociuar në Kolegjin “AAB” në Prishtinë, profesor i asociuar në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë, prodekan UD për mësim në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, Pejë, mësimdhënës i angazhuar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, anëtar i Këshilit Drejtues në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur.
Më 12 janar, presidentja Vjosa Osmani dha lajmin e vënies së themelit të Misionit të Posaçëm në Vatikan.
Vitin e kaluar në një takim zyrtar por me audiencë private me Papa Françeskun, presidentja Osmani kishte thënë që njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, misioni i posaçëm është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”.
Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të presidentit, pas konsultimit me kryeministrin.
Ndërkaq, sipas Konventës për Misionet Speciale (e njohur si “Konventa e Nju Jorkut”) që u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 8 dhjetor 1969, misioni i posaçëm është një mision i përkohshëm.
Ky mision i përkohshëm përfaqëson një shtet, i dërguar nga një shtet në tjetrin me pëlqimin e këtij të fundit, për qëllimin e kryerjes së një detyre apo misioni specifik.