Donika Gërvalla merr pjesë në meshën e Krishtlindjeve në Vatikan

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve që është mbajtur mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, si dhe në kremten ku Papa Françesku dha mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes, që është mbajtur sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Nga Selia e Shenjtë atje, minsitrja Gërvalla ka uruar të gjithë besimtarët katolik, duke i dëshiruar paqe dhe dashuri.

“Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet nga Basilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku me ftesë të Selisë së Shenjtë morëm pjesë në meshën në vigjilje të Festës së Krishtlindjes. Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë dhe të gjitha vatrat tona” – citohet të ketë thënë Gërvalla.

Në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes në bekimin e mesditës “Urbi et Orbi” në Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku, bëri thirrje që Krishtlindja të sjellë paqe në gjithë botën dhe ta kthejë pikëllimin në gëzim dhe gjithashtu të ndalet dhuna dhe të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë.