Kurti pritet në takim nga Papa Françesku, e fton për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti  gjatë vizitës në Vatikan është pritur në takim nga Papa Françesku.

Gjatë takimit, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti e Papa Françesku diskutuan disa tema.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim. Me Papa Françeskun, biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë” – thuhet në njoftim.

“Kryeministri më tej e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme, duke theksuar faktin që jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta” – thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.

Kryeministri i Kurti gjatë këtij takimi e ftoi Papa Françeskun për vizitë në Kosovë.

“Ata u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi” – thuhet në fund të njoftimit.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.

 

Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM