Gjilan, vdekja e një personi në vetaksident, ndalohen 3 të dyshuar

Prokuroria e Gjilanit ka bërë të ditur se ka ndaluar F.A. dhe B.A. në kohëzgjatje prej 48 orëve, të cilët dyshohen se bashkë me L.M. nuk i kanë dhënë ndihmë L.R. pas vetaksidentit, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

L.R. kishte vdekur nga plagët e pësuara në vetaksident.

Sipas Prokurorisë, vetaksidenti ka ndodhur më 25 janar, rreth orës 00:50, gjatë një gare me vetura e zhvilluar në rrugën nga Gjilani deri në fshatin Dobërçan.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën”- thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit F.A. dhe B.A. janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale – rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme, dhe – mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik, dhe i dyshuari L.M. për shkak të veprës penale – mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.

Prokurori i rastit, thuhet në njoftim, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.