Vdes personi që u plagos në Bokshiq të Klinës, i dyshuari ndalohet për 48 orë
I plagosuri në fshatin Bokshiq të Klinës ka ndërruar jetë, kurse i dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Ndaj të dyshuarit është inicuar rast “vrasje e rëndë”.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë në Pejë dhe Policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës.” – thuhet në njoftim, më 21.03.2026.
Prokuroria njofton po ashtu se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante.
Prokuroria Themelore në Pejë thekson se në koordinim me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti.
“Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shteti do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj personit të dyshuar në Gjykatën Themelore të Pejës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda.” – vazhdon njoftimi.
KALLXO.com raportoi për këtë rast, të cilin e konfirmoi Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës. Sipas Gashit, rreth orës 15:08 Policia është njoftuar për të shtëna me armë zajrri.
KALLXO.com merr vesh se në këtë rast kishte pasur një fjalosje në mes dy personave.
Arrestohet një i dyshuar për plagosje në një fshat të Klinës