FOTO: Top Channel

Vdes gruaja që ishte lënduar në aksidentin tragjik afër Shtimes

Gruaja, e cila ishte lënduar në aksidentin tragjik të 22 shkurtit në rrugën Ferizaj-Shtime, ka vdekur sot në Klinikën Intensive të QKUK-së, ku po trajtohej.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar shefi i Intensivës, Shaqir Uka.

“Edhe përkundër angazhimit maksimal mjekësor, pacientja nuk ka mundur t’u përballojë plagëve nga aksidenti që ka ndodhur në rrugën Ferizaj-Shtime dhe fatkeqësisht ajo ka ndërruar jetë në ora 13:00” – ka thënë dr. Uka.

4 persona kanë vdekur më 22 shkurt 2023 pas përplasjes mes dy veturave në rrugën Ferizaj-Shtime.

Policia ka njoftuar se njëri nga shoferët ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka goditur një veturë tjetër.

Personat të cilët kanë vdekur më 22 shkurt kanë qenë në të njëjtën veturë.

Ndërsa gruaja që ka vdekur sot, e cila ishte shtatzënë, ishte në veturën tjetër bashkë me bashkëshortin dhe të dy ishin lënduar rëndë.