Vdekja e punëtorit pasi u lëndua në vendin e punës, arrestohen gjashtë persona të dy kompanive

Policia në Prizren ka arrestuar 6 të dyshuar- menaxherë të dy kompanive lidhur me rastin ku një 18-vjeçar në Prizren, humbi jetën pas lëndimeve në vendin e tij të punës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi në Policinë e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se janë arrestuar 6 persona të dyshuar të cilët kanë qenë përgjegjës për sigurimin e punimeve dhe vendit të punës.

Ai ka deklaruar se gjashtë të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 5 tetor Policia ka arrestuar 6 menaxherë të dy kompanive të cilët janë përgjegjës të vendpunimev ku janë intervistuar për incidentin që ka ndodhë. Ata kanë qenë përgjegjës për punimet dhe sigurimin e vendit të punës”- ka deklaruar Bytyqi.

Një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve që ka marrë në vendin e tij të punës më datë 30 shtator në Prizren.

Sipas Policisë dy persona burra, deri sa ishin duke punuar njëri nga ta ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Për shkak të natyrës së lëndimeve punëtori u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për tretman mjekësor. Si pasojë e lëndimeve i njëjti kishte vdekur në QKUK.