Vdekja e cimerit të Astrit Deharit, kërkohen hetime nga Prokuroria Speciale

Prokurorisë Speciale i është dërguar kërkesë për të filluar hetime për vdekjen e shokut të qelisë së Astrit Deharit.

Kanë kaluar 3 vjet, apo 1096 ditë nga vdekja e tani të ndjerit Naser Makolli, në Qenderën e Paraburgimit në Lipjan.

Avokati Tomë Gashi, mbrojtës i familjes Makolli, sot i është drejtuar Zyrës së Prokurorisë Speciale, për të filluar hetimin rreth vdekjes së dyshimtë të Naser Makollit.

Naser Makolli, kishte ndërruar jetë me 3 Prill 2017, në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, ku kishte qëndruar 115 ditë ose 3 muaj e 25 ditë.

Fillimisht Naser Makolli, ishte shoku i qelisë së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Tani i ndjeri Naser Makolli, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishte nën masën e paraburgimit pasi që dyshohej për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Sipas kësaj kërkese rezulton se Makolli dhe Dehari e kishin ndarë qelinë e njëjtë për 67 ditë.

Tani të ndjerët Naser Makolli dhe Astrit Dehari kishin pasur raporte të mira shoqërore sa ishin duke e ndarë qelinë e përbashkët.

Në kërkesën e avokatit Tomë Gashi, drejtuar Prokurorisë Speciale, thuhet se 34 ditë pas vrasjes së Astrit Deharit me 5 nëntor 2016, Naser Makollin e kishin transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren për në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

Sipas kërkesës që i është dërguar Prokurorisë Speciale, rezulton se Naser Makolli pas vrasjes së Deharit në burg kishte dhënë deklarata se Astrit Dehari ishte i frikësuar.

“Astrit Dehari ka qenë i frikësuar në dy javët e fundit dhe i ka lënë disa numra të telefonit, që nëse i ndodh diçka t’i lajmëroj familjarët e tij… Astriti është frikësuar nëse e marrin Policia…”, ka shkruar avokati Gashi në kërkesën drejtuar Prokurorisë Speciale.

Tutje kërkesa shtjellon edhe shqetësimin e familjes Makolli, për sigurinë e këtij të fundit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, se atij mund t’i ndodhte diçka si Astriti Deharit.

“Këtë do t`ia shpjegojnë vet anëtarët e familjes Makolli, Prokurorisë kur të japin deklarata”, ka shkruar avokati Tomë Gashi.

Tutje kërkesa tregon se sipas familjes Makolli, tani i ndjeri Naser Makolli kishte gëzuar shëndet të plotë dhe nuk kishte vuajtur nga asnjë sëmundje.

Kërkesa përmend se nga dokumentacioni shëndetësor i Qendrës së Paraburgimit në Lipjan në ditën kur është transferuar tani i ndjeri Naser Makolli kishte peshuar 79.3 kilogram, ndërsa kishte gjatësi 1 metër e 78 centimetra.

Sipas kërkesës së avokatit Gashi, shokët e dhomës së të ndjerit Naser Makolli në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, kishin thënë se gjendja shëndetësore e tij ishte përkeqësuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe atij nuk i është dhënë ndihma mjekësore deri sa nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore kishte vdekur me datën 3 prill 2017.

“Nga raporti i autopsisë i datës 4 prill 2020, rezulton se tani i ndjeri Naser Makolli kishte peshuar 67.5 kilogram, ndërsa gjatësia e tij ishte 1 metër e 82 centimetra. Andaj dallimi në peshë i tani të ndjerit Makolli, nga dita kur është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan e deri në ditën kur është nxjerrë i vdekur nga aty është 11.8 kilogram” të thuhet në kërkesë.

Tutje avokati Gashi ka shkruar se familjarët e Naser Makollit, kanë marrë vetëm certifikatën e vdekjes në të cilën thuhet se shkaku kryesor i vdekjes së të ndjerit Naser Makolli ka qenë infarkti akut ‘Infarct acutmiocardi”.

Avokati Tomë Gashi në shkresën e tij pretendon se Familja Makolli, dyshon dhe vdekjen e tani të ndjerit Naser Makolli e lidhin me vdekjen e të ndjerit Astrit Dehari.

Kërkesa e Gashit përfundon me thirrje për Prokurorinë Speciale që të fillojë hetimet penale për rrethanat e vdekjes së dyshimtë të Naser Makollit.

Të gjitha shkrimet e KALLXO.com për rastin e Naser Makollit dhe Astrit Deharit mund t`i gjeni duke klikuar në linqet më poshtë:

LINK – Shkrimet e KALLXO.com për rastin e Naser Makollit

LINK – Shkrimet e KALLXO.com për rastin e Astrit Deharit