Foto: KALLXO.com

Vazhdon aksioni, Policia është duke bllokuar dy rrugë ilegale në Leposaviq

Policia e Kosovës është duke vazhduar me bllokimin e rrugëve në veri të vendit.

KALLXO.com mëson se dy rrugë ilegale në Leposaviq janë duke u bllokuar nga Policia.

Policia që nga mëngjesi ka bllokuar rrugët ilegale që janë shfrytëzuar për kontrabandë e që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar se për bllokimin e këtyre rrugëve janë përdorur makineri të rënda duke hedhur zhavorr në mes të rrugës si dhe duke hapur gropa.

Detaje lidhur me ngjarjen ka dhënë Policia.

Në një njoftim është se në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion policor në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veriore (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan), që kishte si qëllim parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale.

Policia në njoftim theksonte se, në këtë operacion policor ka përdorur të gjithë mekanizmat ligjor, autorizimet dhe kompetencat policore, pajisjet dhe njësitet e ndryshme policore për të zbatuar ligjet pozitive si dhe mbrojtjen e rendit Kushtetues.