Policia jep detaje per mbylljen e disa rrugëve ilegale nëpër zona kufitare

Policia e Kosovës ka konfirmuar, se në orët e hershme të mëngjesit ka realizuar një operacion policor në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veriore (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan), që kishte si qëllim parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale.

Në një komunikatë për media të Policisë thuhet se, në këtë operacion, policia ka pamundësuar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga ana e personave që dyshohet se me mjete të ndryshme kanë shfrytëzuar këto rrugë ilegale që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, për kryerje të kontrabandës dhe aktivitete tjera kriminale.

Policia në njoftim thekson se, në këtë operacion policor ka përdorur të gjithë mekanizmat ligjor, autorizimet dhe kompetencat policore, pajisjet dhe njësitet e ndryshme policore për të zbatuar ligjet pozitive si dhe mbrojtjen e rendit Kushtetues.

KALLXO.com ka raportuar për aksionin e Policisë.