Vazhdojnë kolonat e gjata në Veternik

Kolonat e gjata po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme në lagjen Veternik në Prishtinë.

Një qytetar ka dërguar fotografi në KALLXO.com nga rruga në drejtim të Veternikut, ku shihet kolonë e gjatë e veturave.

Pas 10 ditëve vonesë, me datën 10 korrik kanë filluar punimet për zgjerimin në hyrje të Prishtinës, bashkë me urën që lidh autostradën ‘Ibrahim Rugova’.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj e konsideroi këtë projekt të vonuar, por që theksoi se projekti do të përfundon për 155 ditë pune.

“Kërkoj nga kompania që më përpikëri të implementojë projektin dhe të jetë në kohë. Koha e projektit është 155 ditë pune dhe plus 30 ditë shtesë punë, por do të jemi të vëmendshëm dhe do ta monitorojmë së afërmi pasi që është në hyrje të Prishtinës edhe e do koha edhe qytetarët’, tha ai.

Lekaj në konferencën për media kishte dhënë detajet e këtij projekti.

“Gjatësia e rrugës është diku 2 kilometra sepse është rreth dhe zgjerimi do të jetë më dy korsi dhe do të prishet ura atje dhe do të ketë urë të re me standard çfarë e kërkon dendësia e automjeteve”, ka thënë Lekaj.

Kompania kontraktuese është ‘Eskavatori Company Sh.P.K” nga Ferizaj dhe vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2.504.150,82 euro.

Kujtojmë së më 18 prill 2017 kishte nisur zgjerimi i rrugës Prishtinë – Veternik.

Por që pas dy viteve ende nuk është përfunduar për se pas reshjeve të shiut ishte shembur dheu dhe ishte dëmtuar edhe muri mbrojtës.

Ministri Lekaj në konferencë ka thënë se, “Punimet në Veternik, e kemi stërzgjatur e pranoj, sepse projekti nuk ka qenë nivel çfarë është kërkuar por ne kemi bërë rivendimin dhe kompania është duke punuar dhe mendoj që deri në shtator do të kryhet po ashtu do të fillojmë edhe rrugën A”, ka thënë Lekaj.

Këto janë fotot e dërguara nga qytetari në adresë të KALLXO.com.