Vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi për Nuredin Lushtakun dhe dy të tjerëve

Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për të zgjatur për dy muaj vendimin për paraburgimin e ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut dhe dy personave të tjerë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i gjykatës, Nusret Hoxha.

“Po, gjatë ditës së djeshme është mbajtur edhe seanca dhe gjykimi. Është vendosur që tre personave tu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Kërkesën për vazhdim të paraburgimit e ka bërë Prokuroria e Mitrovicës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie për KALLXO.com tha shkurt se prokurorja e rastit ka propozuar që të ketë vazhdim të paraburgimit.

“Është propozuar vazhdimi i paraburgimit për tre personat që tashmë edhe gjenden në paraburgim prej një muaji”, tha Valon Preteni.

Në fillim të muajit të kaluar policia kishte njoftuar se dy zyrtarë policorë ishin sulmuar në një pikë kontrolli në Skenderaj,

Sipas policisë, njëri nga zyrtarët policor ishte plagosur me armë zjarri në këmbë e tjetri ishte sulmuar me mjete të forta.

Për këtë ngjarje u tha se ishte i përfshirë edhe Nuredin Lushtaku. Ai për KALLXO.com kishte mohuar se ishin përdorur armët ndërsa ishte liruar pas intervistimit nga ana e zyrtarëve policor.

Vetëm një ditë më pas, forcat e rendit dhe sigurisë ishin në kërkim të të njëjtit për ngjarjen. Ai ishte dorëzuar pasi kishte marrë vesh se po kërkohej ndërsa ishte arrestuar së bashku me dy persona të tjerë.

Një armë sipas organeve të rendit është sekuestruar ndërsa hetimi ende është duke vazhduar për atë se cka ndodhi në datën 2 korrik.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte kërkuar paraburgimin e Lushtakut dhe dy personave të tjerë ndërsa gjykata e kishte vendosur masën e sigurisë.

Raportimet në lidhje me ngjarjen ku i përfshirë dyshohet të jetë edhe Nuredin Lushtaku i gjeni në këtë link.