Varianti afrikan i COVID-19, përhapet më shpejtë se varianti “i zakonshëm”

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot në mëngjes ka bërë të ditur se një person ka rezultuar pozitiv me variantin e ri afrikan të virusit COVID19. Njëherësh ky është rasti i pari me këtë variant në Kosovë.

Mirëpo, çka e dallon variantin afrikan nga COVID-19 “i zakonshëm”?

Sipas U.D të Klinikës Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Izet Sadiku, shpejtësia e përhapjes e bënë të dallueshme variantin afrikan nga varianti tjetër i COVID-19.

“Nuk ka ndonjë dallim klinik. Nuk jep forma më të rënda, vetëm se përhapet më lehtë, është më i përhapur, nuk ka diçka tjetër”, thotë Sadiku për KALLXO.com

Ai tregon se pacienti i diagnostifikuar me tipin afrikan të COVID19, gjendet në Klinikën Infektive në oksigjeno – terapi dhe se aktualisht gjendja e tij është stabile.

Në nivel vendi me COVID-19 janë prekur 107,507 qytetarë me SARS-CoV-2, përderisa 2,245 kanë vdekur përderisa 104,188 qytetarë janë shëruar nga infeksioni.

Në anën tjetër procesi imunizimit është duke vazhduar.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, dhe deri më tani janë mbi 85 mijë qytetarë të vaksinuar me “AstraZeneca” dhe “Pfizer”, vaksina kundër coronavirusit.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, më 15 qershor do të filloj vaksinimi masiv me vaksinën kundër SARS-CoV-2.

IKShPK dje ka njoftuar se aktive janë 1,074 raste me COVID-19.