UNICEF kërkon lirimin e fëmijëve nga paraburgimi shkaku i COVID-19

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka kërkuar që të lirohen nga paraburgimi fëmijët për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Anembanë globit, fëmijët ndodhen në sisteme të drejtësisë për të mitur duke përfshirë mbajtjen në paraburgim, të mbajtur në paraburgim për shkak të emigrimit apo për arsye të tjera administrative, të arrestuar në lidhje me konflikte të armatosura, siguri kombëtare apo aktivizëm, apo që jetojnë me prindër në paraburgim. Këta fëmijë dhe ata që janë në rrezik të marrjes së virusit për shkak kushteve themelore të shëndetit fizik dhe mendor duhet të lirohen”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar që masat e paraburgimit të zëvendësohen me masa si arrest shtëpiak.

“Në Kosovë, ne i ftojmë autoritetet gjyqësore ta rishqyrtojnë zëvendësimin e masave të paraburgimit dhe masat edukative për të miturit me masa të bazuara në shtëpi si arrest shtëpiak apo mbikëqyrje intenzive nga prindërit”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Z. Murat Sahin thotë “Së fundmi e kam vizituar Qendrën Korrektuese Edukative në Lipjan. Qendra ka fituar kapacitete të dukshme me mbështetjen e UNICEF-it gjatë dekadës së fundit. Kam takuar shumë të rinj në qendër të cilët janë duke marrë pjesë në programe të edukimit të bazuar në shkathtësi, duke përfshirë programin UPSHIFT. Këta të rinj janë të etur për t’u kthyer në shoqëri dhe për t’u bërë qytetarë produktiv”.

“U bëjmë thirrje institucioneve dhe autoriteteve të tjera ndaluese që urgjentisht t’i lirojnë të gjithë fëmijët që mund të kthehen në mënyrë të sigurt tek familjet e tyre apo në alternative të tjera. Alternativat tjera përfshijnë kujdesin nga familja e gjerë, nga familjarë të tjerë apo me bazë në komunitet”, thuhet në njoftim.

UNICEF-i po ashtu bën thirrje për shtyrje të menjëhershme të afatit për pranimet e reja të fëmijëve në qendrat e mbajtjes.

“Të drejtat e fëmijëve për mbrojtje, siguri dhe mirëqenie duhet të mbështeten në çdo kohë, e sidomos gjatë krizave sikur ajo me të cilën bota po përballet sot. Mënyra më e mirë për t’i përkrahur të drejtat e fëmijëve në mbajtje në mesin e një pandemie të rrezikshme është lirimi i tyre i sigurt”, thuhet tutje aty.