Mariupol, Ukrainë - Foto: VOA

Ukraina: Rusia ka sulmuar ndërtesën e Kryqit të Kuq në Mariupol

Forcat ruse kanë sulmuar ndërtesën e Kryqit të Kuq në qytetin e rrethuar dhe të shkatërruar të Mariupolit, tha të mërkurën Kievi.

“Në Mariupol, pushtuesit kanë goditur ndërtesën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha Avokatja e Popullit të Ukrainës, Lyudmyla Denisova.

Në deklaratën e postuar në rrjetet sociale, ajo shtoi se ndërtesa është goditur nga sulme ajrore dhe artileri.

Qyteti-port i Mariupolit është i rrethuar nga forcat ruse dhe afër 160,000 civilë vlerësohet se kanë mbetur të bllokuar, pa pasur qasje në ujë të pijshëm, ushqim dhe furnizime të tjera elementare.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë./REL