Ukraina e akuzon Rusinë për hedhjen në erë të digës Nova Kakhovka

Diga Nova Kakhovka në pjesën e kontrolluar nga Rusia të Ukrainës jugore është shkatërruar të martën, duke shkaktuar një përmbytje uji në të gjithë rajonin, sipas forcave ukrainase dhe ruse.

Ushtria e Ukrainës i ka akuzuar forcat ruse për hedhjen në erë të digës. “Diga e Kakhovkas u hodh në erë nga forcat pushtuese ruse”, thuhet në njoftim nga komanda Jugore e Forcave të Armatosura të Ukrainës të martën në faqen e saj në Facebook. “Shkalla e shkatërrimit, shpejtësia dhe vëllimet e ujit dhe zonat e mundshme të përmbytjeve janë duke u sqaruar”.

Agjencitë ruse të lajmeve thanë se diga, e kontrolluar nga forcat ruse, ishte shkatërruar nga granatimet, ndërsa një zyrtar i instaluar nga Rusia ka deklaruar se ishte një sulm terrorist.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raporton, duke cituar shërbimet e urgjencës, se 80 vendbanime mund të preken nga përmbytjet. Dëmtimi i digës do të çojë gjithashtu në probleme me furnizimin me ujë të Krimesë, citon Tass të ketë thënë kryebashkiaku i Nova Kakhovka i instaluar nga Moska.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë janë si ne vijim:

Ukraina ka armë të mjaftueshme për ta filluar kundërsulmin e saj dhe operacioni do t’i japë këtij vendi fitoren që i nevojitet për t’u bashkuar me NATO-n, i tha Reuters të hënën ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Anëtarësimi në aleancën ushtarake “ndoshta” do të ishte i mundur vetëm për Ukrainën pas përfundimit të armiqësive aktive, ka deklaruar Kuleba në një intervistë në Kiev.

Një zyrtar i mbështetur nga Moska në rajonin e Zaporizhzhia u citua nga një agjenci ruse lajmesh të ketë thënë se nuk ka asnjë “rrezik kritik” për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia.

SHBA ka vendosur sanksione ndaj anëtarëve të një grupi të lidhur me inteligjencën ruse për rolin e tyre në përpjekjet e Moskës për ta destabilizuar demokracinë dhe për të ndikuar në zgjedhjet në Moldavi, thuhert në një njoftim nga Departamenti i Thesarit. Departamenti i lartcekur thotë se sanksionet synojnë shtatë individë, disa prej të cilëve mbajnë lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse. Ata përfshijnë udhëheqësin e grupit, Konstantin Prokopyevich Sapozhnikov, i cili organizoi komplotin për ta destabilizuar qeverinë e Moldavisë, e cila kufizohet me Ukrainën, në fillim të këtij viti.

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, e ka takuar Zelenskiy në Kiev me të cilin ka diskutuar për përgatitjet për samitin e NATO-s në Lituani muajin e ardhshëm dhe planin e Ukrainës për t’i dhënë fund pushtimit rus. Gjatë takimit, Cleverly tha ka deklaruar se “Ukraina do ta fitojë këtë luftë dhe mund të llogarisë në mbështetjen tonë”.

Ministri i Bujqësisë i Polonisë ka marrë një projekt-rregullore nga Komisioni Evropian përmes të cilit e zgjat ndalimin e importeve të drithërave ukrainase deri më 15 shtator, tha ai të hënën.

Belgjika do t’i kërkojë Ukrainës sqarime mbi raportet se armët e prodhuara në Belgjikë janë përdorur nga forcat pro-ukrainase për t’i luftuar trupat ruse brenda kufirit perëndimor të Rusisë, ka deklaruar të hënën kryeministri belg Alexander De Croo./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala