Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Trendafilova: Askush nga shtetet e BE-së asnjëherë nuk më ka thirrë për të më kërkuar ndonjë gjë

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në fund të konferencës për media ku është folur për punën e Gjykatës Speciale, është deklaruar edhe rreth shqetësimeve për ndikim nga politika.

Ajo me këmbëngulje ka potencuar se asnjëherë askush nga shtetet anëtare të BE-së nuk ka kërkuar nga ajo që të ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar, në të mirë të dikujt.

“Sa i përket përfshirjes me politikën, askush nga shtetet e BE-së, askush asnjëherë nuk është lejuar të më thërras mua, asnjëherë”, deklaroi Trendafilova.

Trendafilova tha se në rast se do të mendonte që një gjë e tillë mund të ndodh, nuk do të aplikonte fare për kryetare të gjykatës.

“Nëse kjo ndodh më lejoni të ju tregoj, se para se të vendos se a duhet të aplikoj unë e kam lexuar ligjin në mënyrë të detajuar, se po të shihja diçka aty që do të komprometonte tërë karrierën time dhe reputacionin tim nuk do të aplikoja. Askush asnjëherë, kurrë nuk më ka thirrë të më kërkojë ndonjë gjë”, tha ajo.

Ndërsa sa i përket aksionit të aktivistëve të PSD-së, kryetarja e Gjykatës Speciale tha se nuk ka asnjë arsye që ata të rinj të mendojnë që është duke ndodhur diçka jo e duhur me Gjykatën Speciale.

“Njerëzit kanë arsye të qëndrueshme për të pasur dyshime, p.sh gjyqtarët që marrin paga pa u paraqitur në salla të gjykimit apo në objekt. Dhe njerëzit me të drejtë mund të shtrojnë pyetje pse, por një gjë e tillë kurrë nuk ndodh në institucionin tonë”, u zotua Trendafilova.

Sa i përket takimeve mes shteteve të cilat janë me dyer të mbyllura, Trendafilova tha se takimet janë të mbyllura për shkak se aty diskutohen çështje rreth buxhetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Këto takime janë të rëndësishme të dimë se ku jem i që shtetet anëtare të bëjnë politikat për buhet dhe të ngjashme, si dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve sepse ne bëjmë përpjekje tepër të mëdha që ti mbajmë njerëzit të siguritë.  Për këtë arsye është vendosur që të mbahen të mbyllura këto takime”, deklaroi kryetarja e Gjykatës Speciale.

Para se të fillonte prezantimi i fjalës hyrëse të kryetares Trendafilova, dy aktivistë të Partisë Social Demokrate të Kosovës – PSD, e kanë marrë fjalën dhe kanë filluar të fishkëllejnë në shenjë proteste për punën e Gjykatës Speciale.

Mirëpo përderisa në shenjë revolte ndaj krijimit dhe mandatit të Gjykatës Speciale, po fishkëllehej brenda, jashtë aktivistët e tjerë të PSD-së kanë hedhur ngjyrë mbi veturat e zyrtarëve të EULEX-it.

Lidhur me këtë aksion të aktivistëve të PSD-së, pati arrestime nga ana e Policisë së Kosovës.