Konferenca për medie e Gjykatës Speciale

Protestohet dhe kundërshtohet Gjykata Speciale, në takimin për media të Kryetares së Gjykatës Speciale

Konferenca për medie për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, konferencë në të cilën po merr pjesë vet kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, u tentua të ndalohej ende pa filluar mirë.

Para se të fillonte prezantimi i fjalës hyrëse të kryetares Trendafilova, një person i cili deri më tani është i pa identifikueshëm për redaksinë tonë, ka marrë fjalën dhe ka filluar të fishkëllej në shenjë proteste për punën e Gjykatës Speciale.

Sipas protestuesit, Gjykata Speciale ka tendencë për të ndryshuar historinë e shtetit të Kosovës.

“… Kjo Gjykatë në asnjë moment nuk mund të sjellë drejtësi. Kjo Gjykatë po dëshiron ta ndryshoj historikun e luftës së Kosovës, si luftë që ka ndodh në mes të dy agresorëve dhe jo luftës për liri”, ka deklaruar protestuesi.

Protestuesi i është drejtuar kryetares së Gjykatës dhe të pranishmeve, me deklaratën se Trendafilova ka ardhur në Kosovë me qëllim të legjitimimit të Gjykatës Speciale, mirëpo ai u shpreh se kjo gjë nuk do të ndodh në qetësi.

“Gjykatësja ka ardh me legjitimu këtë Gjykatë, kanë harru që ka pas krime këtu ka pas prej agresorit, prandaj nuk mund ta lejojmë që në qetësi e në heshtje të raportohet”, ka deklaruar protestuesi.

Pas kësaj deklarate i njëjti e ka lëshuar sallën, mirëpo kryetarja Trendafilova më pas e ka ftuar të njëjtin që të kthehet në sallë dhe të ketë durimin ta dëgjoj prezantimin duke i bërë të ditur që në fund i njëjti mund të parashtroj edhe pyetje, mirëpo i njëjti nuk u kthye më në sallë.

Konferenca është duke vazhduar.