AGK: Gazetarët u penguan nga Policia gjatë raportimit nga protesta e PSD-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar duke thënë se është tejet i shqetësuar nga zhvillimet e ditës së sotme në protestën PSD-së kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ku sipas AGK-së është hedhur sprej dhe gaz lotsjellës në drejtim të gazetarëve.

Në njoftim thuhet se gjatë protestës disa gazetarë u lënduan.

“Nga ky veprim i policisë, kanë pësuar kolegët Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme.

“AGK i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale”- thuhet në njoftim.

Po ashtu AGK- ja u ka bërë thirrje gazetarëve që raportojnë nga terreni të bartin me vete ID-të e tyre të punës, si dhe jelekët me mbishkrimin PRESS, ashtu që të identifikohen që janë punonjës të medieve, dhe jo protestues.

Një gazetar është rrëzuar në tokë, përderisa Policia e Kosovës ka hedhur sprej për të shpërndarë turmën në protestën e Partisë Socialdemokrate.

Protesta e PSD-së, lëndohet një gazetar