Trendafilova: Nuk e di a do të ketë bastisje dhe nuk më intereson

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë takimit dhe diskutimit të sotëm me shoqërinë civile në Prishtinë u pyet edhe për bastisjet e fundit në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Lidhur me këtë çështje, Trendafilova tha se nuk e di a do të ketë sërish bastisje.

“Gjykata dhe Prokuroria janë dy institucione të ndara. Pra, nuk jam e interesuar dhe as nuk dua ta di” – deklaroi Trendafilova.

E njëjta shtoi se lajmi për bastisjet e fundit në Kosovë i kishte ardhur papritur dhe se këtë informacion e kishte parë në media.

Vizita e Trendafilovës u përcoll me protesta nga Partia Socialdemokrate.

Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, Nol Nushin dhe aktivistë të tjerë, pjesë të protestës.

Përkundër faktit se u përcoll me protestë me mjete tymuese e arrestime të 6 aktivistëve të PSD-së, takimi i paraparë mes kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe shoqërisë civile u mbajt.

Lidhur me këtë u deklarua edhe vetë Trendafilova gjatë takimit.

“Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për to. Kam zero informacion në lidhje me çështjet politike” – u shpreh Trendafilova.

“Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodh kjo” – u shpreh tutje kryetarja e Speciales.

Gjatë protestës në Prishtinë u lëndua edhe një gazetar.