Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Trendafilova: E pikëlluar që Gjykata Speciale etiketohet si institucion i padrejtë

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se është e pikëlluar që Gjykata Speciale po etiketohet si institucion i padrejtë.

Sipas saj, njerëzit kanë të drejtë t’i kenë opinionet e tyre, porse sipas saj, ajo nuk ka ardhur në Kosovë për ta përmirësuar imazhin e Gjykatës.

“Jam e pikëlluar që ne etiketohemi si një institucion i padrejtë. Kjo nuk është vendosur nga gjykatësit, por mendoj që kjo kontribuon për keqkuptime, mungesën e njohurive për institucionin”- tha ajo në KTV.

Trendafilova ka mohuar se ka anuluar vizitën në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

“Në fakt, unë nuk e anulova vizitën vitin e kaluar. Erdha këtu dhe takova ministren e Drejtësisë. U takova me audiencën në Universitetin e Prishtinës, me studentë, që ishte një gjë e shkëlqyer dhe u kënaqa shumë duke folur me të rinjtë. Por, në fakt, ngjarja me shoqërinë civile ishte anuluar, një vendim ky që e pata vështirë ta kuptoja… Kjo ishte këshilla e Policisë së Kosovës dhe sigurimit tonë. Por, duhet t’ju them se pse u pajtova me vendimin e anulimit të ngjarjes është sepse unë njihem si një grua shumë kokëfortë, që do të thotë se nëse besoj në diçka se është e drejtë kurrë nuk dorëzohem. Por, mua më thanë se ata që kishin konfirmuar që do të vinin në atë ngjarje vendosën të mos vinin, të frikësuar për veten e tyre”- ka thënë ajo.

Vizita e Trendafilovës sot në Kosovë u përcoll me protesta nga Partia Socialdemokrate.

Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, Nol Nushin dhe aktivistë të tjerë, pjesë të protestës.

Përkundër faktit se u përcoll me protestë me mjete tymuese e arrestime të 6 aktivistëve të PSD-së, takimi i paraparë mes kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova dhe shoqërisë civile u mbajt.

Lidhur me këtë u deklarua edhe vetë Trendafilova gjatë takimit.

“Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për to…kam zero informacion në lidhje me çështjet politike” – u shpreh Trendafilova.

“Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodh kjo” – u shpreh tutje kryetarja e Speciales.

Trendafilova: Asnjëherë nuk kemi pasur ndikime dhe presione politike