Trendafilova: Gjykata Speciale mund të shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm
Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë takimit dhe diskutimit të sotëm me shoqërinë civile në Prishtinë tha se Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.
“Gjykata Speciale mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm sepse gjykatësit mbështeten në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë” – tha Trendafilova gjatë diskutimit të sotëm.
Vizita e Trendafilovës u përcoll me protesta nga anëtarë të Partia Socialdemokrate (PSD).
Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, Nol Nushin dhe aktivistë të tjerë, pjesë të protestës.
Lidhur me këtë u deklarua edhe vetë Trendafilova gjatë takimit.
“Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për to. Kam zero informacion në lidhje me çështjet politike” – u shpreh Trendafilova.
“Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodh kjo” – u shpreh tutje kryetarja e Speciales.
Gjatë protestës në Prishtinë u lëndua edhe një gazetar.