Lëndimi i gazetarëve dhe reagimi policor në protestën e PSD-së, IPK nis hetim

Një hetim preliminar është nisur nga Inspektorati Policor i Kosovës pas ankesave dhe reagimeve publike që janë bërë edhe nga gazetarët edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për reagimin policor gjatë protestës së PSD-së që u mbajt ditën e djeshme.

Partia Socialdemokrate protestoi me mjete tymuese kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe një takimi të saj në një hotel në Prishtinë me pjesëtarë të shoqërisë civile.

Policia e Kosovës arrestoi kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, Nol Nushin dhe 3 anëtarë të tjerë të kësaj partie, që ishin pjesë e protestes.

Për të menaxhuar situatën ishin dërguar njësi të policisë së Kosovës të cilët përdorën edhe sprej por edhe mjete të tjera për shpërndarje të turmës.

Në këtë rast një nga gazetarët mori edhe ndihmë mjekësore ndërsa pas përfundimit të protestës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke thënë se policia pengoi edhe punën e gazetarëve.

Në njoftim thuhet se gjatë protestës disa gazetarë u lënduan.

“Nga ky veprim i policisë, kanë pësuar kolegët Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë”- thuhet në njoftimin e AGK-së.

Një ditë pas protestës, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se sipas detyrës zyrtare (ex officio) kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”- ka njoftuar IPK.

Tym e arrestime, protesta e PSD-së kundër vizitës së kryetares së Speciales – VIDEO