Trendafilova: Asnjëherë nuk kemi pasur ndikime dhe presione politike

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, gjatë takimit dhe diskutimit të sotëm me shoqërinë civile u pyet edhe për vendimin e fundit lidhur me pezullimin e vizitave dhe komunikimeve për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Trendafilova deklaroi se takimet e të akuzuarve me ekipet mbrojtëse të tyre nuk mund të limitohen.

“Është thelbësore që takimet me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen fare. Është takim i lirë dhe pa asnjë lloj monitorimi. Kjo është marrëdhënia e shenjtë mes klientit dhe mbrojtjes” – deklaroi Trendafilova.

Trendafilova shtoi tutje se deri më tani gjykatësit e Gjykatës Speciale nuk kanë qenë subjekt të ndikimeve apo presioneve politike.

“Deri tani nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi dikë, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo i atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Asnjëherë nuk ka pasur presion dhe nuk do të ketë” – deklaroi Trendafilova.

Vizita e Trendafilovës u përcoll me protesta nga Partia Socialdemokrate.

Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, Nol Nushin dhe aktivistë të tjerë, pjesë të protestës.

Përkundër faktit se u përcoll me protestë me mjete tymuese e arrestime të 6 aktivistëve të PSD-së, takimi i paraparë mes kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova dhe shoqërisë civile u mbajt.

Lidhur me këtë u deklarua edhe vetë Trendafilova gjatë takimit.

“Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për to…kam zero informacion në lidhje me çështjet politike” – u shpreh Trendafilova.

“Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodh kjo” – u shpreh tutje kryetarja e Speciales.

Gjatë protestës në Prishtinë u lëndua edhe një gazetar.