Trendafilova: Edhe gjykimi më i mirë nuk do të vlejë nëse ai merret në mirëqenie dhe kurriz të njerëzve

Në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, u fol për punën e Gjykatës Speciale, rolin dhe administrimin e punës së kësaj gjykate.

Kryetarja Trendafilova tha se për Gjykatën Speciale jashtëzakonisht e rëndësishme është mbrojtja e dëshmitarëve.

“Mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të  cilën ne jemi te fokusuar vërtetë shumë sepse gjatë udhëtimit tim të mëhershëm, edhe dje i thash një gazetari, edhe gjykimi më i mirë nuk do të vlejë nëse ai merret në mirëqenie dhe kurriz të njerëzve”, ka thënë Trendafilova.

Trendafilova shtoi se mbrojtja e dëshmitarëve është çështje shumë serioze dhe çështje me shumë prioritet nga Gjykata Speciale.

E lidhur me punën e Gjykatës Speciale, administratorja e Gjykatës, Fidelma Donlontha deklaroi se deri më tani Gjykata Speciale ka pranuar tre mijë parashtresa apo lëndë të cilat janë dorëzuar qoftë nga Prokuroria, mbrojtja apo viktimat.

Po ashtu gjatë kësaj konference u dhanë detaje edhe lidhur me kushtet e qëndrimin e të paraburgosurve të cilët po qëndrojnë në mbajtje në Hagë.

Trendafilova u pyet për arsyen e mbajtjes së dy konferencave të ndara, njërës në Prishtinë dhe tjetrës në Mitrovicë.

Trendafilova tha se roli i saj është të shkojë aty ku kërkohet, duke mos dashur që ta komentojë këtë gjë nga aspekti politik, ajo përmendi faktin se ditë më parë ka marrë pjesë edhe në takime të cilat janë organizuar në qytete të tjera të Kosovës.

Kryetarja e Gjykatës Speciale u pyet edhe për kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e saj nga disa raste, e lidhur me këtë kërkesë ajo u përgjigj se duke qenë kryetare e gjykatës ajo nuk është gjyqtare dhe momentalisht nuk është e ulur në panel dhe rrjedhimisht ajo momentalisht nuk mund të përjashtohet sepse ka një funksion tjetër.

“Unë nuk kam pranuar që të përjashtohem sepse nuk jam gjyqtare që jam ulur në panel dhe jam duke e trajtuar rastin, unë e kam një funksion tjetër. Unë do ta trajtoj rastin për mbrojtje të ligjshmërisë e atëherë më duhet të marrë parasysh të gjitha rrethanat që i përcaktojnë palët, e a e përjashtoj vetën apo jo atëherë është iniciativë e imja”, tha Trendafilova.

Po ashtu Trendafilova u deklarua edhe rreth komunikimit me media duke potencuar faktin se në baza ditore e përcjellë raportimin e mediave, pasi që siç tha ajo për të është shumë e rendësishme besimi i njerëzve të zakonshëm, duke shtuar se Gjykata Speciale është një institucion i mirëfilltë që nuk ka asgjë për të fshehur.

“Unë punoj se bashku me administratoren…nuk ka asnjë ditë pune të vetme e jona që nuk merret dhe nuk regjistrohet në të dhënat publike, ne marrim në baza ditore të gjitha raportet e mediave që vijnë tek ne sepse ne dëshirojmë të dimë se çka po ndodh këtu, dëshirojmë të dimë besimin e njerëzve të zakonshëm, sepse jemi institucion i mirëfilltë dhe s’kemi asgjë që të fshehim”, tha ajo.

Konferenca për media e kryetares së Gjykatës të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, u kundërshtua dhe u përcoll me protestë si brenda ambientit ku po mbahej konferenca ashtu edhe jashtë.

Para se të fillonte prezantimi i fjalës hyrëse të kryetares Trendafilova, dy aktivistë të Partisë Social Demokrate të Kosovës – PSD, e kanë marrë fjalën dhe kanë filluar të fishkëllejnë në shenjë proteste për punën e Gjykatës Speciale.

Mirëpo përderisa në shenjë revolte ndaj krijimit dhe mandatit të Gjykatës Speciale, po fishkëllehej brenda, jashtë aktivistët e tjerë të PSD-së kanë hedhur ngjyrë mbi veturat e zyrtarëve të EULEX-it.

Lidhur me këtë aksion të aktivistëve të PSD-së, pati arrestime nga ana e Policisë së Kosovës.